PD denoncon tenderin e makinave të policisë: Po të bliheshin, do të kushtonin më pak

29/08/2018 13:28

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka denoncoi të mërkurën një tender për dhënien me qira të makinave që përdoren nga policia, me vlerë 1,8 milionë euro.

“Edi Rama vijon të favorizojë biznesmenët e afërt me të duke i dhënë miliona euro nga buxheti. Kompania e mikut të ngushtë të Edi Ramës, Agron Papuli, në korrik të këtij viti ka marrë tenderin e radhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt qira operacionale automjetesh për Policinë e Shtetit, me vlerën 1,8 milionë euro. Ky është akt i pastër korrupsioni për të pasuruar financuesin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Makinat e marra me qira te Agron Papuli kanë kosto më të lartë sesa po të bliheshin”, tha Noka.

Deputeti demokrat shtoi se më parë, “OSHEE i ka dhënë Papulit 6 tendera me vlerë 4,3 milionë euro”.

“Kryeministri e shpërndan buxhetin e shtetit për familjen e tij, miqtë e tij, oligarkët që pastrojnë paratë e tija. Klika nuk mund të mbijetojë gjatë. Shqiptarët nuk do të lejojnë që Edi Rama të privatizojë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Noka.

Top Channel