Pas Mianmarit, Organizata e Kombeve të Bashkuara hedh sytë edhe nga Jemeni. Ekspertë të të drejtave të njeriut në OKB besojnë se në konfliktin e përgjakshëm të Jemenit mund të jenë kryer krime lufta nga të gjitha palët.

Në raportin e tyre të parë për këtë konflikt, ata pretendojnë se forcat qeveritare jemenase, koalicioni i udhëhequr nga sauditët që i mbështet ato, si dhe lëvizje rebele Houthi kanë bërë shumë pak përpjekje për të ulur numrin e viktimave mes civilëve.

Të gjitha palët shënjestrojnë me sulmet e tyre zona të banuara, duke lënë kështu mijëra civilë të vdekur. Palët ndërluftuese akuzohen gjithashtu për burgime arbitrare, tortura, zhdukje me forcë dhe rekrutim fëmijësh.

Ekspertët pritet ta prezantojnë raportin e tyre përpara Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB, muajin e ardhshëm.

Jemeni është shkatërruar nga një konflikt që nisi të përshkallëzohej prej fillimit të vitit 2015, ku rebelët Houthi morën kontrollin e pjesës më të madhe të perëndimit të vendit, e detyruan presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të largohej nga vendi.

Të alarmuar nga rritja e këtij grupi, që konsiderohet si zgjatim iranian, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe 7 shtete të tjera arabe ndërhynë ushtarakisht në përpjekje për të rikthyer qeverinë. Ata kanë marrë mbështetje logjistike dhe kundërzbulimi nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.

Të paktën 6.660 civilë kanë mbetur të vrarë dhe 10.563 janë plagosur gjatë luftimeve, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara. Mijëra civilë të tjerë kanë ndërruar jetë nga shkaqe të parandalueshme, përfshi kequshqyerjen, sëmundjet apo shëndeti tejet i dobët i tyre.

Luftimet dhe një bllokadë e pjesshme nga koalicioni la gjithashtu 22 milionë njerëz në nevojë urgjente për ndihma humanitare, krijoi emergjencën më të madhe në botë për ushqim dhe çoi në shpërthimin e kolerës, që thuhet të ketë prekur të paktën 1.1 milion banorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA