Bota është portokall, thonë, dhe Asia Argento këtë po e provon në kurriz. Aktorja e njohur italiane ishte një prej zërave më të fuqishëm kundër producentit të famshëm amerikan, Harvey Weinstein, të akuzuar nga një numër i madh femrash për abuzime të rënda seksuale.
Asia frymëzoi lëvizjen “#Metoo” me faktin që bëri përpara e i tregoi botës sesi njeriu i fuqishëm i “Hollywood”-it e kishte përdhunuar, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në fundosjen e tij.
Por, tani është vet 42-vjeçarja, ajo që gjendet nën akuzë për të njëjtat veprime të turpshme.
Jimmy Bennet, sot 22 vjeç, thotë se Argento e ka sulmuar seksualisht kur ai ishte 17 vjeç. Ai pati interpretuar dikur në krah të saj, në filmin “The Heart Is Deceitful Above All Things”.
Incidenti, ndërkohë, ndodhi majin e vitit 2013 në Kaliforni, në një dhomë të hotelit “Ritz-Carlton”.
Asia vet ishte 37 vjeç atëherë. “New York Times” arriti të shtijë në duar dokumentet e gjyqit, që tregojnë sesi ajo i ka paguar Bennetit 380 mijë dollarë për ta mbyllur këtë çështje në heshtje.
I riu, që sot është kthyer në roker, pretendonte në aktpadi se aktorja i ka dhënë alkool kur mbërritën në hotel, e më pas nisi abuzimi. Në muajin qershor, Weinstein u vetëdeklarua jofajtor ndaj akuzave të Argentos kundër tij, e vazhdon të mohojë çdo lloj intimiteti jokonsensual.
Top Channel