Elinel është një reper që prej vitesh ka qënë prezent në skenën e muzikës shqiptare. I njohur më së shumti për muzikën e tij “Underground”, duket se së fundmi ky artist ka vendosur t’i përshtatet më shumë tendecave të fundit muzikore, duke anuar paksa tek muzika komerciale.
Viti 2017-2018 ka qenë tepër i fuqishëm për Elinel, duke ardhur me disa këngë “solo” por edhe me disa bashkëpunime që kanë krijuar një “zhurmë” të madhe në tregun muzikor shqiptar.
Kritikat e para për ndryshimin e rrymës së tij muzikore, Elinel nisi t’i merrte me projektin muzikor “Qmos”, ku shumë fansa kërkonin që reperi t’i rikthehej sërish muzikës së tij. Në atë kohë, Elinel bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilës, deklaroi se nuk kishte ndryshuar stilin muzikor por thjesht i ishte përshtatur paska tregut.
Pas këtyre “kritikave”, Elinel iu rikthye sërish muzikës “hip-hop” me projektin e tij muzikor “Lambo” rreth katër muaj më parë, i cili u mirëprit nga fansat e tij, ku shumica komentonin se u rikthye legjenda.
Një rëndësi shumë të veçantë Elinel iu ka kushtuar edhe bashkëpunimeve muzikore, duke bashkuar fuqitë me disa prej artistëve më të suksesshëm të momentit.
Një ndër bashkëpunimet, ku Elinel u komentua se erdhi tepër komercial ishte bashkëpunimi me Flori Mumajesin, “Në shpirt”, publikuar qershorin e vitit të kaluar.
Vetëm një javë më parë, Elinel ka publikuar një tjetër bashkëpunim me Dj Dagz dhe Dj PM, një këngë që e ka larguar sërish nga stili i tij “underground” por pavarësisht kësaj, fansat e kanë votuar dhe mbështetur artistin, duke e bërë këtë projekt muzikor menjëherë pjesë të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. “Gangsta” mban titullin ky projekt muzikor, i cili për këtë javë mban vendin e 6-të.
Ky artist ka publikuar shumë këngë të ndryshme në karakter sa i përket periudhës 2017-2018, duke u shndërruar në një kameleon të vërtetë në muzikë. Për shkak të kalimit të tij në stilin komercial, këngët e tij nuk i kanë rezistuar kohës.
Top Channel