Të mësosh të kërcesh para dasmës, nuk është shumë e lehtë për çiftet, sidomos për femrën që vesh fustanin e nusërisë. Atletet do të zëvëndësohen me këpucë të larta me takë.

Megjithatë, çiftet shqiptare po i kushtojnë rëndësi edhe hapave të kërcimit, përvec lokalit ku do të martohen apo pamjes së tyre të jashtme, duke u bërë kështu pjesë e një kursi kërcimi për çiftet para martese.

“Kërkesat janë rritur tmerrësisht shumë. Kur vijnë këtu, përgjithësisht janë të nivelit zero, sa i përket asaj që duan të bëjnë ditën e dasmës. Normalisht puna është shumë e vështirë sepse edhe ata kanë ngarkesë, jo të gjithë kanë vesh muzikor që të ndjekin ritmin në mënyrë të saktë. Kanë dëshira për të bërë gjëra të mëdha por që ndoshta janë të pamundura e për shkak të kohës. Po ditën e dasmës ata japin maksimumin e tyre,” thotë Fjoralba Kycyku, koreografe.

Arisi është një nga dhëndurët e veçantë. Ai nuk kishte kërcyer kurrë në dasmat e të tjerëve, por tani që do ishte në kryeqendër të vëmëndjes në gëzimin e tij duhet të mësonte të kërcente, ndaj një muaj para se të martohej filloi kursin.

“Bëmë një kolazh të kërcimeve latine, mësuam salsën, bachatën. Vështirësia më e mëadhe ishte me vallet popullore, pasi janë pak të sikletshme,” shprehet ai.

Vendimin e mori vetë, pa dijeninë e shoqes së jetës së tij, Albinës. Por cili ishte reagimi i saj, kur pa Arisin të kërcente?

“U mrekullua, nuk e besonte pasi edhe përpara dasmës unë I thoja si do kërcej…s’do arrij dot të kërcej. Edhe u befasua, ishte diçka shumë e bukur,” tregon Arisi.
Ndërkohë që, koreografja na tregon se rasti i Arisit është i rrallë, pasi meshkujt shfaqin përgjithësisht ndrojtje, ndërsa vështirësia me femrat qëndron te të kërcyerit me fustan nuserie.

“Ðuke qenë se tendencat e fundit të fustaneve janë 2 kontraste, një fustan shumë i madh si princeshë e një fustan si sirenë…kur është kërcimi I parë gjithmonë pak i vështirë se fustani i madh i pengon realisht. Ndaj evitojmë lëvizjet që janë të rrezikshme për çiftin,” thotë ajo.

Top Channel