Lira turke në rënie të lirë; Turqia mund të bjerë në krizë

27/07/2018 11:08

Liria turke ka rënë me 2% kundrejt dollarit amerikan, pasi Banka Qendrore e vendit tronditi investitorët të martën dhe e la normën bazë të interesit të pandryshuar në 17.75%. Monedha turke ka humbur 27% të vlerës së saj prej fillimit të 2018-s.

Ekonomistët prisnin që banka të rriste normat e interesit për të luftuar inflacionin, që arriti 15% në qershor. Shumë analistë thanë se vendimi tregoi se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili mbështet normat e ulëta të interesit, ka rritur ndikimin e tij mbi bankën qendrore.

Tim Ash, një ekonomist i tregut në zhvillim në BlueBay Asset Management, tha se vendimi ishte “i pakuptueshëm” për një bankë qendrore që thotë se “kujdeset për inflacionin”.

Tregjet në zhvillim anembanë botës janë nën presion, por analistët paralajmërojnë se Turqia është veçanërisht e ndjeshme dhe tani mund të shkojë për një krizë valutore që mund të kërkojë një paketë shpëtimi ose kufizime mbi sasinë e parave që largohen nga vendi.

Presidenti Donald Trump kërcënoi të enjten për të vendosur “sanksione të mëdha” ndaj Turqisë mbi burgimin e një pastori amerikan, një zhvillim që kërcënon edhe më shumë ekonominë.

Ekonomia turke u rrit me 7.4% në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por rritja e tij në vitet e fundit është nxitur nga ndërtimi i financuar kryesisht nga investitorët e huaj, të cilët po shqetësohen gjithnjë e më tepër për aftësinë e vendit për të sjellë para gjatë kohërave të vështira për të paguar borxhet e saj.

Erdogan, i cili u rizgjodh në qershor, është një burim tjetër pasigurie. Ai ka dhënë më shumë pushtet mbi politikën ekonomike dhe ka instaluar një të afërm si ministër i financave.

Top Channel