“Shqiptarët ndërtuan Greqinë dhe tani u mohojmë pensionin”: Pyetja drejtuar zëdhënësit të qeverisë – A do të ndryshojë ligji ekzistues?
Janë bërë publike fytyrat e katër burrave të akuzuar për kryerjen e abuzimeve dhe sulmeve seksuale ndaj një gruaje, e cila dyshohet se drogohej vazhdimisht nga bashkëshorti i saj, pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.
Të akuzuarit janë Richard Wilkins, 62 vjeç, taksist; Norman Macksoni, 48 vjeç, këngëtar dhe biznesmen; Mohammed Hassan, 38 vjeç, punonjës i Amazon dhe Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes në Britani. Ata po gjykohen në Gjykatën e Kurorës në Winchester për një sërë veprash penale seksuale ndaj Joanne Young, 49 vjeçe, në banesën e saj në Swindon, gjatë periudhës 2016–2023.
Viktima ka hequr dorë nga e drejta për të ruajtur anonimitetin në dhjetor, duke bërë të mundur publikimin e identitetit të saj dhe të detajeve të çështjes. Sipas prokurorisë, katër të pandehurit dyshohet se janë rekrutuar në internet nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Philip Young, 50 vjeç, i cili e kishte droguar gruan për ta bërë të pavetëdijshme ose për të mos kujtuar atë që i ndodhte.
Prokurorja Sarah Jones KC deklaroi në gjykatë se gruaja ishte lidhur dhe i ishin mbuluar sytë, ndërsa burra të panjohur kryenin abuzime seksuale ndaj saj, në disa raste në praninë e bashkëshortit, i cili dyshohet se i filmonte ngjarjet.
Sipas saj, Philip Young kërkonte në internet burra të moshave dhe kombësive të ndryshme, mundësisht pranë Swindonit, për të kryer marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij.
Ai kishte publikuar rreth 20 njoftime në platformën Craigslist, ku ftonte burra të interesuar të kryenin marrëdhënie me gruan e tij, duke e paraqitur këtë si një fantazi seksuale të përbashkët.
Megjithatë, prokuroria theksoi se Joanne Young nuk kishte dhënë kurrë pëlqimin për marrëdhënie seksuale me persona të tjerë. Përkundrazi, ajo e kishte përshkruar veten si një grua monogame dhe kishte refuzuar qartë propozimet e bashkëshortit për të përfshirë persona të tretë në jetën e tyre seksuale.
Hetimi nisi në vitin 2023, pasi policia u informua se Philip Young kishte publikuar në internet materiale pornografike ekstreme. Gjatë kontrollit të pajisjeve të tij elektronike, hetuesit zbuluan afro 500 fotografi të bashkëshortes së tij në gjendje të zhveshur.
Philip Young ka pranuar fajësinë për gjithsej 56 vepra penale ndaj ish-bashkëshortes, përfshirë përdhunim, sulm seksual, penetrim seksual pa pëlqim, administrim të substancave me qëllim kryerjen e veprave penale dhe filmim të fshehtë. Ai ka pranuar gjithashtu vepra penale që lidhen me krijimin dhe posedimin e materialeve të paligjshme që përfshijnë fëmijë.
Ndërkohë, një tjetër person, Dean Hamilton, 47 vjeç, nga Street, Somerset, ka pranuar fajësinë për një akuzë të penetrimit seksual pa pëlqim, dy akuza për sulm seksual dhe një akuzë për përdhunim.
Hamilton dhe Philip Young do të dënohen në përfundim të procesit gjyqësor. Katër të pandehurit e tjerë i mohojnë akuzat, të cilat përfshijnë vepra nga prekja seksuale e deri te përdhunimi.

Top Channel