Me provokimet ndaj presidentit amerikan Trump, Rouhani nuk po u përmbahet premtimeve që i bëri popullit iranian në vitin 2013. Përkundrazi, ai duket se po bashkohet me zërat radikalë.

Deklaratat e fundit të presidentit iranian Hassan Rouhani rreth mbylljes së mundshme të Ngushticës së Hormuzit për transportet ndërkombëtare të naftës nuk kanë asnjë gjurmë të përbashkët me premtimet që ai i bëri popullit iranian në vitin 2013. Përkundrazi ato tingëllojnë më shumë si deklaratat luftarake të shprehura shpesh nga paraardhësi i tij, Mahmud Ahmadinexhad.

Në sferën e brendshme, Presidenti Rouhani e ka mbajtur shumicën e premtimeve të fushatës zgjedhore. Por çfarë e bën atë që në nivel ndërkombëtar të imitojë tonin e ashpër të përdorur nga Ahmadinexhadi, pavarësisht kritikave të përsëritura për mënyrat e ish-liderit dhe deklatave të tij që ka si prioritet që t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e Iranit me Perëndimin përmes negociatave?

Fjalë drejtuar një audiencë të vogël
Duket se pas ndryshimit të tonit të Rouhanit në politikën e jashtme qëndrojnë shumë faktorë e që e shtyjnë atë t’u drejtohet më tepër udhëheqësit suprem të Iranit Ajatollah Ali Khameneit dhe komandantëve të rojes revolucionare sesa njerëzve që votuan për të.

Së pari, ky ndryshim i politikës mund të lidhet me trazirat e gjera që u përhapën kohët e fundit në të gjitha anët e Iranit. Protestat e gjera lidhen me mungesat e ujit dhe të energjisë, krizën e monedhës, papunësinë dhe korrupsionin e përhapur midis zyrtarëve iranianë.

Së dyti, tërheqja e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe ndryshimet në kabinetin e Trump kanë hedhur një hije ndaj zyrtarëve në Uashington, duke shkaktuar frikë për miratim qëndrimesh më të ashpra ndaj Iranit.

Agresioni i fundit i SHBA ndaj Teheranit shkoi madje aq larg sa Trump dhe sekretari i shtetit Mike Pompeo deklaruan në mënyrë eksplicite se po ndihmojnë në organizimin e trazirave të gjera në Iran dhe u kanë premtuar mbështetje të gjithanshme protestuesve. Për më tepër kërcënimi i administratës së Trumpit rrezikon të pengojë eksportet iraniane të naftës duke filluar nga nëntori 2018 – e së bashku me përpjekjet e saj për të vendosur ato që Trump i ka quajtur sanksione “historike” për Iranin dhe presionet në rritje ndaj partnerëve të Iranit për të pakësuar lidhjet tregtare me Teheranin – të kujtojnë vitet e fundit të presidencës së Ahmadinexhadit.

Top Channel