Milan dhe Juventus janë përfshirë në ditët e fundit në një megaoperacion intrigues në merkaton e futbollit që mund të përfshijë 5 lojtarë. Higuain, Bonucci, Caldara, Benatia dhe Pjaca janë pjesë e një skenari të pamendueshëm pak ditë më parë, që nëse do të konkretizohet brenda muajit gusht, do të ndryshojë sërish Serinë A.
Situata kryesore përfshin sulmuesin Gonzalo Higuain, i cili tani shihet si burimi kryesor për të rikuperuar disi sforcimin ekonomik për Cristiano Ronaldon. Por bomberi argjentinas kërkon një destinacion të pëlqyeshëm si dhe një çek të majmë, që ia ofron Milani. Kuqezinjtë ndërkohë i kanë hapur rrugën kalimit të mbrojtësit të tyre Leonardo Bonucci tek Juve, vetëm një vit pas ardhjes së tij nga torinezët. Në intrigat e zakonshme të merkatos, kundërpeshat teknike dhe ato financiare lëvizin shpejt.
7 herë kampionët e Evropës do të donin të fusnin një lojtar juventin në tratativa dhe emri i preferuar nga kuqezinjtë është Mattia Caldara, i cili konsiderohet zëvëndësuesi perfekt për kapitenin e skuadrës së drejtuar nga Gennaro Gattuso.
Një takim në Milano këtë të martë mes drejtuesve të dy klubeve shtoi mundësitë e ndryshimit të fanelave për këta lojtarë. Marrëveshja mund të përfshijë dhe marokenin Benatia, gjithmonë i pakënaqur te kampionët e Italisë dhe kroatin Marko Pjaca, një talent i blerë me bujë, që deri më tani nuk ka shpërthyer asnjëherë.
Top Channel