Në Elbasan, Labinot-Mal dhe Funar janë zonat më të prekura nga stuhia e një dite më parë. Ndërkohë që në qytet stuhia zgjati jo më shumë se 5 minuta, në këto zona breshëri ka zgjatur më shumë se 1 orë, duke shkatërruar çdo gjë në të mbjella dhe pemëtari.

Përballë kësaj fatkeqësie të natyrës, fermerët kërkojnë ndihmë, pasi puna dhe të ardhurat e një viti u shkatërruan: “Një orë breshër bëri shumë dëm. I themi shtetit që të vërë dorën në zemër dhe të na ndihmojë. Ne me këto mbahemi”.

Grupet e punës së Bashkisë dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë janë në terren për verifikimin e dëmeve.

Rreshjet e shumta dhe moti i keq kanë shkaktuar dëme në disa fshatra të Korçës. Sektori më i prekur mbetet bujqësia, ku kultura të ndryshme janë shkatërruar, ndërkohë që një ditë më parë në fshatin Goskovë, si pasojë e vërshimit të përroit, u dëmtuan disa mjete, por edhe biznese. Në Porodinë dhe Goskovë ka patur dëmtime të kulturave bujqësore si domatja, patatja, qepa dhe misri.

Për situatën e krijuar nga shiu e breshëri, sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Bujqësisë Korçë, zgjidhje është sigurimi i të mbjellave pasi nuk ka mekanizma të tjerë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.

Në të gjithë luginën e Dropullit dëmet prej stuhisë së të hënës kanë prekur sidomos parcelat e mbjella me misër. Disa dhjetëra hektarë në zonën e Dropullit, Libohovë e Nepravishtë janë shkatërruar plotësisht prej erës dhe breshërit. Disa fermerë në Lunxhëri raportojnë dëmtime në masën 40% të prodhimit vjetor të frutave të stinës.

Në Bulqizë dëmet më të mëdha raportohen nga Gjorica dhe Shupenza. Fermerët thonë se nuk mundën të parandalonin dëmet, pasi furtuna i zuri në befasi.

Top Channel