Roma nuk ndalet në merkato, pasi duket se po riformaton nga e para organikën, ndonëse sezonin e kaluar arriti deri në gjysmëfinalet e Ligës së kampionëve.
Kryeqytetasit italianë kanë larguar këtë sezon lojtarë si Nainggolan, Alisson, Gerson, etj, por kanë afruar zyrtarisht plot 10 futbollistë deri tani.
Ndërkohë mediat italiane raportojnë se vetëm para pak minutash ka mbërritur në Romë portieri suedez, Robin Olsen, i cili pritet të marrë vendin e titullarit në katërkëndëshin e portës verdhekuqe.
Olsen ka mbrojtur portën e Malmos në Suedi, ndërsa vjen pas një sërë paraqitjesh mjaft të mira, përfshi edhe ato në kampionatin botëror “Rusi 2018.
Nga ana tjetër, Drejtori Sportiv i Romës, Mario Monchi ka arritur akordin edhe për transferimin e brazilianit Malcom nga Bordoja, me këtë të fundit që pritet të mbërrijë në aeroportin e Fiumicinos sonte rreth orës 23:00.
Të dy futbollistët do t’u nënshtrohen vizitave mjekësore nesër paradite dhe nëse gjithçka shkon me sukses, do të zyrtarizohen si lojtarët më të rinj të Romës, për të çuar në 12 numrin e atyre të afruar këtë verë.
Top Channel