Pas zgjatjes disa herë, Turqia më në fund e hoqi gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Megjithatë, shteti synon që t’i ruajë fuqitë e zgjeruara që burojnë prej saj përmes një ligji të ri kundër terrorit, i cili ndalon edhe protestat. Në vazhdën e ngjarjeve të korrikut dy vjet më parë, qeveria turke ndërmori një fushatë të paprecedentë shënjestrimi të pjesëmarrësve në përpjekjen për grusht shteti dhe aleatëve të tyre. Masat energjike u përhapën shumë shpejt, duke përfshirë edhe përkrahësit e klerikut të mërguar Fetullah Gylen, ndaj të cilit drejtohet gishti i akuzës për tentativën e përmbysjes së lidershipit turk.
Por autoritetet vendase nuk u mjaftuan me kaq: në lupën e tyre u gjendën edhe simpatizantë të kauzës kurde, gazetarë e aktivistë të majtë. Në pranga përfunduan më shumë se 77 000 vetë, ndërsa 110 000 punonjës shtetërorë, përfshirë këtu policë, oficerë ushtarakë, akademikë, prokurorë e gjyqtarë u pushuan nga puna.
Qeveria i kërkoi Parlamentit 7 herë zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e në secilin rast ia shtonte me tre muaj mundësinë forcave të sigurisë që të përdornin fuqitë e tyre të forcuara prej kësaj situate. Në fillim të korrikut, mbi 18 600 persona të tjerë, kryesisht policë e ushtarë, u shkarkuan gjoja nën dyshimin e lidhjeve me organizatat terroriste dhe grupet që veprojnë kundër sigurisë kombëtare të vendit.
Top Channel