Mesi në OKB: “Agjenda 2030”, në linjë me integrimin evropian të Shqipërisë

18/07/2018 14:24

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Shqipëria ka prezantuar për herë të parë “Raportin Vullnetar Kombëtar” (VNR) për progresin e arritur në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).

Zv/kryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi prezantoi raportin kombëtar të rrugëtimit të vendit tonë drejt arritjes së këtyre objektivave universale të OKB-së, njohur ndryshe si “Agjenda 2030”. Në prezantimin e saj, Mesi nënvizoi faktin se raporti vullnetar i Shqipërisë është reflektim i një angazhimi gjithëpërfshirës i aktorëve të ndryshëm dhe është bazuar në një proces të mirë-integruar.

Në lidhje me masat që vendi ynë ka ndërmarrë për arritjen e këtyre objektivave universale, Mesi nënvizoi faktin se vendi ynë i ka dedikuar sinergji të madhe kombëtare duke filluar me punën e Komitetit Ndër-Ministerial që zbaton dhe monitoron strategjitë kombëtare në lidhje me Objektivat; aprovimin unanim në Parlament të rezolutës për avancimin e tyre; nënshkrimin vitin e kaluar nga 25 universitete publike e private të një marrëveshjeje mirëkuptimi në drejtim të një roli më aktiv të tyrin; miratimin nga Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile të deklaratës publike për zhvillimin e mëtejshëm të “Axhendës 2030”; si dhe angazhimin serioz të sektorit privat gjithashtu.

Në lidhje me “Agjendën 2030”, zv/kryeministrja Mesi theksoi se agjenda është në linjë të plotë me integrimin evropian të Shqipërisë, duke i cilësuar të dyja këto procese si të pandashme dhe madje përforcuese ndaj njëra-tjetrës.

Top Channel