Shtetet e Bashkuara e refuzuan kërkesën e Bashkimit Europian për të përjashtuar disa kompani europiane nga sanksionet e Uashingtonit kundër Iranit.
Në një letër drejtuar vendeve të kontinentit të vjetër, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo sqaroi se refuzimi i kësaj thirrjeje bëhet për shkak se SHBA-të kërkojnë që të ushtrohet presion maksimal mbi Republikën Islamike.
Përjashtimet, sipas Pompeos do të bëhen vetëm në rastet kur prej tyre ka përfitim siguria kombëtare amerikane.
BE-ja druhet se sanksionet e reja amerikane do të vënë në rrezik miliarda dollarë të përfituara nga tregtia. Masat e rrepta hynë në fuqi në muajin maj, pasi Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja e vitit 2015 mbi programin bërthamor iranian, për të cilën janë angazhuar ndërkohë Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.
Ndërkohë, në përbaljen e saj me luftën tregtare të presidentit amerikan, BE-ja ka gjetur një aleat të fortë: Kinën.
Në atmosferën e pasigurisë që i ka krijuar Trumpi ekonomisë globale, dy partnerët më të rëndësishëm tregtarë të SHBA-ve kanë organizuar një takim në Pekin, temat kryesore të axhendës së të cilit do të jenë marrëdhëniet e tregtisë, investimeve globale dhe ato dypalëshe.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përfaqësojnë BE-në në bisedimet me zyrtarë të lartë vendas, përfshirë presidentin Xi Jinping dhe kryeministrin Li Keqiang.
Nisur nga përshkallëzimi i tensioneve tregtare, si pasojë e vendosjes së tarifave “tit-for-tat”, të dyja palët pritet të shprehin mbështetjen e tyre për rregulla që bazohen në sistemin tregtar ndërkombëtar, nën mbikëqyrjen e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Top Channel