Orjeta jeton së bashku me Martin në Tiranë. Qenushi 5-vjeçar prej më shume se 4 vitesh është pjesë e familjes.
“Kisha menduar që do kisha një qen në jetë, por jo që do e merrja nga rruga e do ta adoptoja. E mora thjesht sepse sikur më zgjodhi. Më pa në sy dhe sikur më përgjërohej mes gjithë atyre qenushëve”, tregon Orjeta.
Por janë të paktë njerëzit si Orjeta. Megi është një nga vullnetaret e rrjetit “Animal Rescue Albania”, ku Orjeta adoptoi qenushin e braktisur. Dhjetëra të tjerë, që s’kanë të njëjtin fat si Marti, presin në strehëz që të jenë pjesëtarë të rinj të familjeve tona.
“Pavarësisht se të gjithë kanë histori të ndryshme dhe shumë prej tyre kanë përjetuar dhunën njerëzore, e kanë kapërcyer këtë fazë dhe mezi presin të gjejnë një familje”, thotë Megi.
“Ndjekim pak a shumë një procedurë standarde. Hapi i parë që është plotësim i formularit që shërben pak a shumë si ndonjë dokument zyrtar ku jep të dhënat e tua personale. Pra, një lloj seleksionimi ndodh që në fillim, që në formular, por pjesa më e madhe e kalojnë fazën e formularit dhe më pas seleksionimi kryesor ndodh në momentin që bëhet takimi, ku sigurohemi që kanë dritare ballkone të izoluara. Duam të sigurohemi që e merr këtë përgjegjësi përgjithmonë, jo vetëm për momentin dhe pastaj ndryshon mendje. Nuk mundet se do shkojë me pushime, do ndërrojë shtëpi apo bëhet me fëmijë..dmth një kafshë është për gjithë jetën”, thotë Megi.
Dhe si njerëzit që s’kanë në dorë të zgjedhin të jetë me apo pa ngjyrë, as qentë s’kanë të drejtën e zgjedhjes të jenë kafshë race apo jo.
“Në thelb qeni është si fëmijë, si ta edukosh dhe çfarëdo lloj qeni pavarësisht racës, moshës, madhësisë apo peshës do të të japi të njëjtën sasi të pakufishme dashurie dhe besnikërie”, shprehet ajo.
Top Channel