Prokurori i “21 Janarit”, i korruptuar. DSIK: Adriatik Cama, parà për të pushuar një çështje

11/07/2018 14:50

Nuk u shpëtoi dot emocioneve të forta Adriatik Cama, njëri nga prokurorët e tragjedisë së 21 Janarit. Kur ai u pyet nga komisionerët e vettingut sesi quhej, prokurori me karrierë 26-vjeçare u duk për disa çaste sikur nuk ishte aty, pasi nuk mundi të kujtonte në kohë as emrin e tij.

Pas 18 sekondash, prokurori: Adriatik Cama, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor.

E kishte të drejtë për të qenë i emocionuar. Gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit e ekspozojnë prokurorin me pasuri problematike e të pajustifikuara.

Edhe pse prokurori rezulton bashkëpronar i vetëm një apartamenti në Tiranë, i një dyqani dhe një automjeti, deklaratat dhe të ardhurat për blerjen e tyre u cilësuan nga vettingu si kontradiktore dhe të pajusfitikuara.

Fillimisht, prokurori e ka deklaruar blerjen e apartamentit me vlerë 3 milionë lekë, ndërsa në kontratën e shitblerjes rezulton të jenë investuar 34 mijë dollarë. KPK-ja zbuloi se probleme kishte edhe në blerjen e një garazhi, i cili në fakt rezulton të jetë dyqan.

Por, pika që rëndon më tepër për prokurorin Cama ka lidhje me raportin sekret të DSIK-së, që pas deklasifikimit hedh hije dyshimi mbi njeriun e drejtësisë. Sipas KPK-së, prokurori Adriatik Cama ka pushuar hetimet për një kontrabandist në vitin 2005 në Lushnje, së bashku me një prokuror tjetër, vendim për të cilin është paguar.

“Dy prokurorët – tha relatorja, – kanë kërkuar mitë e kanë marrë parà duke kryer korrupsion, duke cënuar në këtë mënyrë figurën”.

Por Adriatik Cama kundërshtoi, duke theksuar se kjo gjetje nuk është e vërtetë, e sipas tij vettingu duhej t’i sillte dëshmitarin për t’u ballafaquar.

“Nuk e kam shkelur asnjëherë ligjin, jam besnik i tij. Kam pasur presione kur shteti nuk ekzistonte në vitin 1997, madje edhe për 21 Janarin, por asnjëherë nuk jam trembur. Kam bërë detyrën si prokuror i Republikës. Më lini të vazhdoj detyrën”, tha Adriatik Cama.

Ai ishte emocional edhe në përfundim të seancës.

Shkarkohet Artan Lazaj. KPK: Gjyqtari i Tiranës, deklarim i rremë për pasurinë

E ndërsa për Camën do të jepet vendimi më 12 korrik, gjyqtari Artan Lazaj u rrëzua nga vettingu. Shkarkimi i tij u krye vetëm mbi një komponent, që është pasuria, sepse sipas KPK-së nuk përputhen të ardhurat për blerjen e të vetmes pasuri që Lazaj ka; që është një apartament në Tiranë.

Avokati i tij e konsideroi procesin të parregullt.

“Artan Lazaj dhe pasuria e tij fillon dhe mbaron me një shtëpi. Edhe nëse këta konstatojnë se bartja e një shtëpie është luks, unë mendoj që ne po pësojmë devijanca të mëdha të karakterit social”, tha avokati Sokol Hazizaj.

Të enjten do të dalë para vettingut edhe gjyqtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari, ndërsa të premten është radha e gjyqtarit të Lartë, Tomë Ndreca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA