Live/ “Shqipëri e Re”, dita e 26-të e protestës, mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në kryeqytet

25/06/2026 20:55

Po mbahet në kryeqytet dita e 26-të e protestës qytetare.

Qytetarët kanë nisur tanimë marshimin e zakonshëm në rrugët e kryeqytetit me thirrjen: Nesër më shumë.

Protestuesit u grumbulluan në sheshin ‘Skënderbej’, për të vazhduar më pas marshimin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe për t’u stacionuar para Kryeministrisë aty ku mbajtën edhe fjalimet.

Disa nga pjesëmarrësit kanë propozuar që protestat të shtrihen edhe gjatë paradites, propozim ende i pakonfirmuar, ndërkohë që gjatë fjalës së tyre kanë përsëritur sërish 5 kërkesat.

Kërkesat:

1.Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

2.Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3.Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4.Paralelisht, kërkojmë:

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5.Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Top Channel