Operacioni ndaj piraterisë në Suedi, Digitalb kompensohet me 1.4 mln euro

10/07/2018 15:55

Prej vitesh, DigitAlb po vijon betejën me piraterinë televizive, duke u bërë promotor për gjetjen dhe ndëshkimin e operatorëve të paligjshëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe Europë e më gjerë.

Frut i kësaj përpjekjeje shumëvjeçare të mbështetur nga DigitAlb është edhe operacioni i fundit ndërkombëtar i kryer nga “Nordic Content Protection”, një organizatë antipirateri me qendër në Suedi, e cila në bashkëpunim me autoritetet suedeze kreu një investigim, nga i cili rezultoi se shoqëria “Advanced TV Network” kishte piratuar programet dhe kanalet e DigitAlb dhe disa platformave të tjera prestigjioze televizive ndërkombëtare.

Piratimi shtrihej në vendet skandinave, por edhe në Greqi, SHBA dhe Kanada. Hetimi nisi në vitin 2016 dhe, pas dy vitesh, gjykata suedeze provoi se “ATV” kishte piratuar kanalet e DigitAlb dhe disa platformave të tjera televizive prestigjioze ndërkombëtare.

“Advanced TV Network” ishte një rrjet në pronësi të një shtestasi arab dhe djalit të tij që vepronte në shtetet skandinave, ndërsa bashkë me ta në pranga ka përfunduar edhe një shqiptar që bashkëpunonte për piratimin e kanaleve të plaformës Digitalb.

Ata u shpallën fajtorë nga gjykata për 3 akuza: “Shkelje të së drejtës së autorit”, “Shkelje të Markave Tregtare” dhe “Prodhim e tregtim dekoderash falsë”. Për rrjedhojë, gjykata suedeze vendosi që “Advanced TV Network” të kompensojë DigitAlb me 1.4 milionë euro. Operacioni konsiderohet një goditje e fortë në shkallë ndërkombëtare për piraterinë televizive.

Promotori i kësaj fushate antipirateri për Shqipërinë dhe Kosovën, drejtori i DigitAlb, Alban Jaho thotë se fushata për gjetjen dhe kapjen e operatorëve të paligjshëm televizivë do të vazhdojë e do të thellohet.

Prej disa vitesh, DigitAlb po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë shqiptare, por edhe insitucione ndërkombëtare për gjurmimin dhe kapjen e rrjeteve pirate, duke shkatërruar disa të tilla në territorin shqiptar, por edhe në Europë.

Operacioni i fundit është fryt i kësaj fushate, që tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe është shtrirë edhe në vende të tjera. Digitalb, ndërkohë thotë se inkurajon çdo hetim dhe ndëshkim të operatorëve ilegalë, që prishin konkurrencën e ndershme dhe kërkojnë të çrregullojnë tregun për pëfitime të paligjshme.

Digitalb është investuar me të gjithë potencialin e tij, për të ndalur piraterinë dhe kërkon që në këtë betejë të ketë edhe mbështetjen e vazhdueshme të Prokurorisë dhe Policisë shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA