Xhafaj në Londër: Lufta kundër krimit të organizuar, prioritet i Shqipërisë

09/07/2018 20:16

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në takimin e Ministrave të Brendshëm në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Londër, deklaroi se, “Shqipëria e konsideron luftën kundër krimit të organizuar si prioritet thelbësor”.

“E parë në kontekstin e mësipërm, jemi duke thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, britanikë, gjermanë, italianë, austriakë dhe agjencitë ligj zbatuese të këtyre vendeve. Jo për shkak se ndodhem këtu në Londër, por bashkëpunimi me autoritetet britanike dhe me NCA është një ndër modelet qe ne duam të ndjekim në organizimin e strukturave tona në këtë fushë”, u shpreh Xhafaj.

Ministri risolli në vëmendje propozimin për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, bërë më herët në takimin e Triestes vitin e kaluar. Ai shtoi se forcimi i sigurisë në Ballkan kërkon padyshim vijimin pa hezitim të procesit të integrimit Evropian. “Unë besoj se kjo është në interes të rajonit dhe i shërben më së miri interesave që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian. Nuk mund të ketë Evropë të fortë në përballimin e sfidave të sigurisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit, pa Ballkanin e përfshirë në proceset integruese”, tha Ministri Xhafaj.

Top Channel