Trazira në natën e dytë në Irlandën e Veriut, plagosen 12 policë dhe arrestohen 16 persona
Qeveria gjermane do të paraqesë brenda këtij viti një ligj të ri për emigracionin. Për këtë kanë rënë dakord partitë në koalicionin qeveritar, por përmbajtja e një ligji të tillë është ende e paqartë.
Ka mbi 50 leje të ndryshme që mundësojnë qëndrimin në Gjermani, në legjislacionin gjerman. Këtu bëjnë pjesë viza për artistët, leja e kufizuar e qëndrimit, leja e pakufizuar e rezidencës, “Karta Blu” e Bashkimit Europian për punonjës shumë të kualifikuar, e kështu me radhë.
Veç kësaj ekzistojnë edhe shumë rregulla e dekrete, të shpërndara në të gjithë legjislacionin gjerman.
Një ligj i posaçëm për emigracionin deri tani ka munguar në Gjermani. Një ligj i tillë është pjesë e programit të socialdemokratëve prej vitesh, por pa u konkretizuar asnjëherë.
Tani, edhe parti të tjera janë të hapura ndaj tij. Pritet që ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, të prezantojë një projektligj të tillë në tetor, pavarësisht se përmbajtja për momentin është e paqartë.
SPD-ja në fushatën parazgjedhore kishte dalë me një projekt të orientuar sipas modelit kanadez. Çdo vit, një numër i caktuar emigrantësh të lejohen në Gjermani. Ata do të përzgjidheshin në bazë të një sistemi, me pikë për arsimin, përvojën profesionale, njohuritë e gjermanishtes dhe të afërmit në Gjermani.
Sipas këtij modeli, teorikisht do të mund të emigroje në Gjermani, pa pasur një ofertë për një punë të caktuar. E kjo është kritikuar nga kristiandemokratët. Sidoqoftë, për të gjitha palët është e qartë se rregullat aktuale janë shumë të ndërlikuara.
Top Channel