Gol nga një mbrojtës, Partizani fiton miqësoren në Maqedoni

04/07/2018 16:40

Partizani e mbylli fazën përgatitore në Maqedoni me fitoren minimale të regjistruar në miqësoren përballë Fc Makedonija. Ndeshja e luajtur në Ohër u vendos nga goli i minutës së 17-të, të realizuar nga mbrojtësi Labinot Ibrahimi.

Trajneri Skënder Gega aktivizoi si titullarë lojtarët që praktikisht mbyllën sezonin e kaluar. Në portë kapiteni Alban Hoxha, ndërsa përpara tij në mbrojtje ishin Ibrahimi, Gojkovic, Belica dhe Kalari.

Treshja e mesfushës përbëhej nga Trashi, Mala dhe Bruno Telushi, ndërsa në fazën ofensive, Bardhi dhe Asani ishin në mbështetje të Prognit, në rolin e sulmuesit të vetëm.

Gjatë ndeshjes trajneri Gega aktivizoi edhe Çulum, Bitrin, Zhdrellën, Hysenajn, Xhikan dhe sulmuesin Edgar Çani ndërsa bie në sy fakti që përforcimi i merkatos së verës, mesfushori Ardit Hila, nuk ka luajtur.

Me miqësoren përballë Makedonijas, që sapo është ngjitur në elitën e futbollit maqedonas, Partizani i dha fund edhe përgatitjeve në Ohër, me skuadrën që do të kthehet në Tiranë, ku do të bëhet gati për sfidën e Europa League, më 12 korrik përballë sllovenëve të Mariborit.

Top Channel