“Shqipëri-Mali i zi, pa gardh”

03/07/2018 15:51

Shqipëria dhe Mali i Zi zhvilluan për herë të parë një mbledhje të përbashkët të qeverive përkatëse, në qytetin e Shkodrës. Një praktikë kjo që ishte ndjekur më parë nga kryeministri Edi Rama me qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë.

Të dy kryeministrat theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tejet pozitive, gjë që gjeti konfirmim edhe në çështjen e emigrantëve të paligjshëm që nga vendet e luftës kalojnë kufirin në drejtim të Europës. Dushko Markoviç mohoi vendosjen e një gardhi në kufi me Shqipërinë, ndonëse Hungaria ishte e gatshme t’ia dhuronte një të tillë Podgoricës.

“Është e vërtetë që kemi evidentuar një fluks më të madh të hyrjeve ilegale nga Shqipëria, por bashkarisht do të punojmë që kufinjtë tanë të jenë më të sigurtë. Mali i zi dhe Shqipëria kanë qasje të përgjegjshme, nuk ka asnjë kërcënim. Ne nuk parashikojmë as vendosjen e gardheve, as ngritjen e kampeve”, tha Markoviç.

Ndërsa Rama u shpreh: “Edhe ne kemi pasur oferta për të marrë gardhe dhuratë, por ne jemi popull emigrantësh. Nuk mund të jemi as vende gardhesh, as heronj që të shpëtojmë vendet e pasura nga ata që i shohin si mbetje toksike”.

Dy vendet synojnë të forcojnë bashkëpunimin përsa i përket shkëmbimeve tregtare dhe marrëveshja e re për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Zogaj shkon në këtë drejtim, theksoi Rama.

“Jemi të angazhuar të punojmë konkretisht për avancuar procesin e lehtësimit të shkëmbimeve tregtare me reduktimin maksimal të barrierave tarifore dhe incentivat përkatëse për kompanitë që janë të interesuara të ndërveprojnë në dy anët e kufirit”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Nga ana tjetër, Mali i Zi u tregua i gatshëm të mbështesë Shqipërinë përsa i përket turizmit: “Shqipëria po bëhet gjithnjë e më interesante për investitorët seriozë, të cilët duke ardhur në Malin e Zi shikojnë edhe bregun shqiptar. Ne i mbështesim këta investitorë që të investojnë edhe në turizmin shqiptar sepse ekziston një lidhje komplementare dhe të dy palët përfitojnë. Për të pasur efekt të plotë duhet të punojmë për avancimin e infrastukturës rrugore dhe prioritar është korridorin Adriatiko-Jonian që do të financohet nga BE”.

Dy qeveritë firmosën edhe disa marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe sigurisë dhe menaxhimit të burimeve ujore.

Top Channel