Hetimi antidoping ndaj Chris Froome është mbyllur nga trupa qeverisëse botërore e Çiklizmit, “UCI”.
Fituesi i katërfishtë i Turit të Francës, tashmë 33 vjeç, ishte nën hetim pasi iu gjet në urinë një nivel më i lartë nga ai i lejuari i substancës “salbutamol”, e ligjshme në luftimin e problemeve me astmën.
Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA), e cila bashkëpunoi me “UCI”-në në këtë hetim, pranoi se nuk pati asnjë shkelje të rregullave, ndaj rekomandoi mbylljen e çështjes.
Çiklisti britanik tha se “ishte mirënjohës dhe i lehtësuar” që po i jepet fund kësaj çështjeje.
“Këto 9 muaj kanë qenë tejet emocionues”, shtoi Froome, i cili pritet të marrë pjesë që nga fillimi i edicionit të ri të Turit të Francës, nga e shtuna e kësaj jave. “Faleminderit ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe besuan tek unë gjatë kësaj periudhe. E dija këtë, kur thashë se nuk do ta çnderoja kurrë fanellën e fituesit dhe se rezultatet e mia do t’u qëndronin testeve të kohës. Nuk kam pasur kurrë dyshime se kjo çështje do të mbyllej, për arsyen e thjeshtë se e dija që nuk kisha bërë asnjë shkelje”, tha britaniku Christopher Froome.
Top Channel