Fiks Fare denoncon sesi një kompani private ka falsifikuar emrat për një dëgjesë publike dhe me këtë dokument fals ka arritur të marrë një leje mjedisore për ndërtimin e një guroreje dhe ka detyruar ish-komunën Milot të lidhë kontratë me vendim gjykate.
Skandali ka ndodhur në fshatin e njohur Malbardhë të Kurbinit. Por, banorët nuk e kanë lejuar ndërtimin e gurores në fshatin e tyre, duke e mbrojtur me protesta, ndërkohë që subjekti ka kërkuar dëmshpërblim në gjykatë për fitimin e munguar, duke u bazuar pikërisht në dokumentin fals të realizuar 10 vite më parë.
Mbi 200 familje në Malbardhë të Kurbinit u ankuan se gurorja ka nisur të ndërtohet që në vitin 2008. Për vite të tëra kanë pasur përplasje sa kanë përfunduar dhe në polici, por që nuk kanë gjetur zgjidhje. Sipas tyre, ndërtimi po bëhet nga subjekti “Ndërtimi Kristian”, që është pajisur me leje mjedisore, por që pavarësisht se me ligj parashikohet se duhet të kishte një vendim të këshillit të pushtetit vendor dhe të ishin bërë dëgjesa publike, këto të dyja nuk u janë vënë në dispozicion asnjëherë.
Ata deklarojnë se kompania nuk ka bërë asnjë dëgjesë publike dhe për këtë ngrenë shqetësimin se si është pajisur me leje. Banorët që jetojnë shumë pranë saj tremben pasi rrezikojnë shtëpitë e tyre. Banorët i janë drejtuar emisionit Fiks Fare për të zgjidhur këtë problem që mbahet pezull prej vitesh.
Për këtë arsye, Fiks Fare pyeti në Bashkinë e Kurbinit se çfarë ka ndodhur me këtë leje, e cila rezulton se është dhënë që në vitin 2008, kur fshati Malbardhë administrohej nga ish-komuna e Milotit.
Bashkia e Kurbinit shprehet se për këtë çështje janë vënë në dijeni nga banorët të cilët kanë bërë një peticion me rreth 800 firma, ku shprehen kundër këtij ndërtimi. Sipas juristit, edhe bashkia ka konflikt me kompaninë, pasi kjo e fundit i ka hedhur në gjyq dhe kërkon dëmshpërblim për fitimin e munguar. Megjithatë, sipas verifikimeve që ka bërë Bashkia rezulton se ndërtimi i kësaj guroreje është kundërshtuar me vendim të këshillit të ish-komunës së Milotit. Por më vonë, është nxjerrë një urdhër ekzekutimi nga gjykata e shkallës së parë, që nuk është ndjekur nga komuna e Milotit, por është lënë në heshtje. Sa i përket dëgjesës publike, sipas bashkisë së Kurbinit, në dokumentacionin e administruar nga ish-komuna Milot, nuk është gjetur asnjë fakt. I pyetur sesi është e mundur që kompania ka arritur të marrë lejen, ai deklaron se për këtë duhet të pyesni Ministrinë e Mjedisit.
Ndërsa Ministria e Mjedisit deklaroi se “Ndërtimi Kristian” është pajisur me leje mjedisore dhe një nga dokumentet që është kusht për të paraqitur ka qenë edhe dëgjesa publike. Sipas tyre, kompania ka paraqitur një dëgjesë publike, e cila iu vu në dispozicion emisionit Fiks Fare.
Por nga verifikimi rezulton se në këtë dëgjesë publike kanë firmosur vetëm tre banorë, një përfaqësues OJF-je dhe asnjë përfaqësues i pushtetit vendor, ashtu siç përcaktohet në procedurat për dëgjësat publike.
Duke parë se kanë firmosur vetëm 3 banorë, Fiks Fare shkoi sërish në fshatin Malbardhë për të gjetur tre banorët që kanë firmosur. Nga informacionet që morëm si nga banorët, ashtu edhe nga përfaqësuesit e Njësisë Administrative Milot, të tre banorët që rezultojnë se kanë firmosur në dëgjesën publike të organizuar nga “Ndërtimi Kristian”, nuk ekzistojnë si banorë në fshatin Malbardhë. Vetëm një banor me ndryshim mbiemri rezulton se ka qenë banor i kësaj zone, por nuk është më.
Ish-kryeplaku i Malbardhës deklaron se tre personat që kanë firmosur nuk janë banorë të fshatit Malbardhë. Sipas tij, dy prej firmëtarëve janë punonjës të kompanisë.
Pra, rezulton se kompania ka falsifikuar emrat e banorëve në dëgjesë publike për të përfituar lejen mjedisore dhe në bazë të këtij dokumenti ka arritur të nxjerrë një urdhër ekzekutimi, të marrë një leje mjedisore dhe sot kërkon dëmshpërblim për fitimin e munguar, pasi nuk është lejuar të punojnë nga banorët e Malbardhës.
Top Channel