Dikur bastet më të çmendur nuk bëheshin publike dhe diheshin vetëm nga dëshmitarët, por në kohën e rrjeteve sociale, këto lloj bastesh është pothuajse e pamundur që të mos dalin në dritë. Nëse ai që e publikon diçka të tillë është mbrojtësi i Manchester City, Kyle Walker, atëherë historia bëhet akoma më argëtuese.
Pikërisht falë tij, tani e gjithë bota di që një tifoze angleze me emrin Jess do të duhet të bëjë tatuazh fytyrën e John Stones, një tatuazh që mund të jetë i dyfishtë. Sipas ‘Independent’ e gjithë kjo histori lindi nga një postim në Twitter i Jess, një ditë para ndeshjes mes Anglisë dhe Panamasë, kur ajo shkruante: ‘Nëse Stones shënon do të bëj tatuazh fytyrën e tij’. Ajo që nuk është specifikuar në këtë premtim është se sa herë Jess do të bëjë tatuazh fytyrën e Stones duke qenë se futbollisti i Manchester City-t shënoi 2 herë.
Në këtë pikë del në skenë edhe vetë Stones me anë të një video të shkurtër që i drejtohej tifozes duke i thënë: Ishe me fat Jess, por faleminderit për mbështetjen’. Video u shoqërua me dedikimin: Shpresoj që të të mos dhembin shumë. Ndërkaq, profili i Jess në Twitter nuk ekziston më, por krijohet përshtypja se kjo histori nuk mbyllet këtu, kështu që jemi në pritje të të rejave më të fundit që sigurisht do t’i zbulojmë nëpërmjet Twitterit.
Top Channel