Me ngritjen e temperaturave, artistët punojnë fort për të publikuar projektin që do të quhet hiti i kësaj vere. Kështu kanë bërë edhe dy motrat e famshme, Nora dhe Era Istrefi, të cilat e kanë filluar verën me dy këngë të reja, të cilat janë bërë menjëherë pjesë e klasifikimit këtë javë.
Era Istrefi në fakt e ka nisur këtë verë më mirë se kushdo, duke qënë pjesë e këngës së botërorit të futbollit 2018-të së bashku me Nicky Jam dhe Will Smith, “Live It Up”.
Ndërsa vetëm një javë më parë, Era publikoi një tjetër projekt muzikor, të titulluar “Prisoner”. Ky projekt muzikor, i cili e sjell Erën “solo” pas disa bashkëpunimeve, është futur menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, ku për këtë javë mban vendin e 75-të. Era është gjithashtu në listë edhe me bashkëpunimin e saj me DJ Maphorisa, “Origami”, i cili për këtë javë mban vendin 42-të.
Nga ana tjetër Nora Istrefi ka vendosur ta nisë verën me një bashkëpunim me Mixey, të titulluar “As ni gote”. E ardhur mjaft energjike dhe në super formë fizike, Nora ka goditur në shenjë me këtë projekt muzikor, ku falë sugjerimeve është futur menjëherë në listë.
Edhe pse është vetëm java e para në listë, “As ni gote” ka arritur të renditet mjaft mirë, duke zënë vendin e 20-të.
Me muzikë të Mixey dhe tekst të Era Istrefi, Rron Baraku, Yll Limani, kjo këngë ka marrë mjaft komente pozitive në rrjetet sociale, ku shumë prej fansave kanë parashikuar se ky do të jetë hiti i verës 2018-të.
Top Channel