Skema e lojës në… bluza, Danimarka e qartë

11/06/2018 13:52

Danimarka e ka të qartë strategjinë që do të ndjekë në Botërorin e Rusisë që do të nisë pas 3 ditësh. E reja në këtë pikë qëndron në faktin se skuadra daneze e ka publikuar taktikën e saj në fanela dhe skema e tregon qartë se ylli i kësaj skuadre është pikërisht Christian Eriksen.

Skema taktike që propozon Danimarka është e tillë; goditja e parë e topit, pasimi te Eriksen nëse ai shënon atëherë gjithçka nis sërish nga rrethi qendror i fushës, nëse kjo nuk ndodh përsëritet aksioni dhe pasimi do të jetë sërish për Eriksen.

Futbollisti i Tottenhamit ka qenë i pranishëm në të gjitha aksionet sulmuese të skuadrës daneze gjatë eliminatoreve të Botërorit të këtij viti. Momenti kulmor i tij ishte tregolëshi i shënuar prej tij në ndeshjen e kthimit ndaj Irlandës në fazën e playoffit.

Ndërsa në miqësoren e fundit Danimarka luajti me Meksikën dhe Eriksen rezultoi vendimtar në fitoren e skuadrës së tij me rezultatin 2-0 pasi dha asist në golin e parë ndërkohë që ishte autori i golit të dytë.

Top Channel