Tarifat e presidentit Donald Trump mbi panelet e importuar diellore bënë që kompanitë amerikane të energjisë së rinovueshme të anulojnë ose ngrijnë investime në vlerë mbi 2,5 miliard dollarë në projekte të mëdha.
Ky zhvillim po ashtu ka ndalur planet për të punësuar me mijëra njerëz. Shifra është 2,5 herë më e madhe se sa 1 miliard dollarët e premtuar nga kompanitë amerikane që duan të shfrytëzojnë tarifat e larta mbi mallin e huaj për të prodhuar më shumë në vend. Ekspertët thonë se shembulli i paneleve diellore tregon qartë se tarifat e administratës për çdo industri që mbrojnë nga konkurrenca e huaj, dëmtojnë një apo më shumë biznese amerikane.
Për shembull, tarifat mbi çelikun dhe aluminin e importuar, kanë dëmtuar prodhuesit amerikane të pajisjeve bujqësore që prodhohen me çelik si traktorë apo hambarë misri, po ashtu edhe fermerët që i blejnë me çmime më të larta.
Shtëpia e bardhë nuk u përgjigj e pyetur nga mediat për këtë zhvillim. energjia diellore është një prej sektorëve që zhvillohet më shpjet në SHBA dhe Trump i miratoi tarifat pavarësisht thirrjeve të shumta që do ta dëmtonte drejtpërdrejtë këtë industri.
Industria e energjisë diellore në SHBA punëson çerek milioni njerëz, tre herë më shumë se industria e qymyrit, por Trump sërish vendosi të ndihmojë këtë të fundit. Ekspertët thonë se sektori i energjisë diellore ishte në hapin final për tu shndërruar në një faktor thelbësor për të ardhmen, por ardhja e tarifave të Trump e ka shtyrë ndjeshëm këtë pritshmëri, në mos i ka dhënë fund.
Top Channel