Mbreti Felipe i VI i Spanjës udhëhoqi ceremoninë e betimit të qeverisë së re socialiste, e cila ka një numër rekord prej 11 grash në 17 ministri.
Kryeministri Pedro Sançez tha se ekipi i tij i ri ndan vizionin e përbashkët të një shoqërie progresive moderne dhe pro evropiane. Kabineti i tij i ri është në kontrast të fortë me qeverinë paraardhëse të dominuar nga meshkujt të ish-kryeministrit Mariano Rahoi që u shkarkua javën e shkuar.
Por si qeveri e minoritetit, kabineti i Sançez do të mbështetet tek parti të tjera për të miratuar ligje. 61% e qeverisë së re janë gra, proporcioni më i lartë në historinë e vendit.
Vetëm pak qeveri në botë kanë 50% të ministrave gra, përfshirë Francën, Suedinë dhe Kanadanë. Gratë kanë disa nga postet më të rëndësishme të qeverisë së re spanjolle si ministrinë e mbrojtjes, atë të ekonomisë, financave dhe arsimit.
Një tjetër kuriozitet interesant është se ministër i shkencës është zgjedhur astronauti i parë i Spanjës, Pedro Dukue. Kryeministri i ri Sançez ka premtuar zgjedhje të reja në më pak se dy vjet dhe duke qenë se ka një parti të vogël në parlament, shpreson që ta përdorë këtë kohë për t’i paraqitur elektoratit plane interesante që ta votojnë më shumë kur të vijë momenti.
Top Channel