Afganistan, armëpushim i përkohshëm me talebanët…për Ramazan

07/06/2018 12:37

Presidenti afgan, Ashraf Ghani shpalli armëpushimin me kryengritësit talebanë deri më 20 qershor, që përkon më përfundimin e muajit të agjërimit dhe kremtimet që pasojnë atë, por tha se lufta kundër grupeve të tjera militante, siç është Shteti Islamik, do të vazhdojë.

Ai e shpalli vendimin në një fjalim televiziv. “Ky armëpushim është një mundësi për talebanët që të kuptojnë se fushata e tyre e dhunshme nuk po i përfiton zemrat dhe mendjet e afganëve, por po i tjetërson ato”, shkroi ai në rrjetin social “Twitter”.

“Me shpalljen e armëpushimit, ne po e mishërojmë fuqinë e qeverisë afgane dhe vullnetin e qytetarëve për zgjidhje paqësore të konfliktit afgan”, tha më tej ai.

Talebanët po kërkojnë të rivendosin ligjin e rreptë islamik, pas rrëzimit të tyre nga pushteti në vitin 2001, nga forcat e drejtuara nga trupat e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Ghani ofroi në muajin shkurt njohjen e talebanëve si grup të ligjshëm politik, në një proces që sipas tij mund të çonte në bisedime, që do të mund t’i jepnin fund luftës mbi 16-vjeçare.

Ghani propozoi një armëpushim dhe lirimin e të burgosurve mes një sërë mundësish, përfshirë zgjedhjet e reja që do të përfshinin militantët, si dhe një rishikim të Kushtetutës në një marrëveshje me talebanët, për t’i dhënë fund një konflikti që vetëm gjatë vitit të kaluar la prapa mbi 10 mijë civilë afganë të vrarë e të plagosur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në gusht të vitit të kaluar kishte shpallur një qasje më të ashpër ushtarake në Afganistan, duke përfshirë shtimin e sulmeve ajrore, për të detyruar talebanët të ulen në tryezën e negociatave, nën mbikëqyrjen e misionit të udhëhequr nga NATO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA