Ish-producenti i Hollivudit, Harvey Weinstein tha se është i pafajshëm para gjykatës ku akuzohet për përdhunim dhe sulm seksual.
Paraqitja e tij në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut u bë pasi një juri e madhe e paditi javën e shkuar. 66 vjeçari Weinstein ka ngulur këmbë gjithnjë se kurrë nuk ka kryer seks jo të vullnetshëm me një femër.
Mediat amerikane shkruajnë se nëse shpallet fajtor për secilën nga akuzat që kanë lidhje me dy gra, ai mund të dënohet me 25 vjet burg.
Ish-producenti i famshëm është akuzuar për sjellje të gabuara seksuale nga më shumë se 70 gra. Veç gjyqit aktual, ai përballet me hetime të veçanta në Los Angeles, Londër dhe nga qeveria federale. Weinstein mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga avokati i tij Benjamin Brafman. Ky i fundit tha se do të paraqesë disa mocione ligjore që mund të eliminojnë nevojën e gjyqit, por edhe nëse ky zhvillohet, do të luftojnë fort për të pastruar emrin e Weinstein.
Aktualisht Weinstein është i lirë me kusht për shifrën e 1 milion dollarëve. Ai ra dakord që të dorëzojë pasaportën dhe të mbajë në trup një gjurmues GPS.
Top Channel