Qeveria “Conte” është votuar në Senatin italian me 171 vota pro dhe 117 kundër, ndërsa 25 abstenuan.

“Ne do të ofrojmë përgjigje konkrete për qytetarët. Ndjehem shumë përgjegjës për këtë pozicion dhe falenderoj ata që ishin në gjendje të hiqnin dorë nga ambiciet personale për një projekt më të gjerë. Humbja e prestigjit na shtynë për përgjegjësi shtesë”, u shpreh kryeministri italian Conte.

Në fjalimin e tij prej 75 minutash, Conte konfirmoi pikë për pikë kontratën qeveritare të nënshkruar mes Lega Nord dhe 5 Yjet. Ai u shpreh se Roma do të vijojë t’i qëndrojë besnike parimeve euroatlantike, në një BE më të drejtë. Por konfirmoi edhe një qasje më të afërt me Moskën.

“5 yjet” dhe Lega kanë premtuar shpenzime të reja të ndihmës sociale dhe shkurtim taksash, çka mund të bjerë ndesh me rregullat e shpenzimeve të bllokut. Vetë Matteo Salvini nga ana tjetër do të mbaje portofolin e Ministrisë së Brendshme dhe një nga premtimet e tij të para ishte një politikë e re e ashpër mbi emigracionin, që mund të ngjallë dhe kjo debate në Europë.

Dy partitë, që para zgjedhjeve kishin ndasi të thella në programin e tyre, arritën që të sheshojnë këto ndasi dhe të formojnë një koalicion të përbashkët. E përbashkëta tjetër e tyre është qëndrimi ndaj Brukselit.

Si 5 Yjet, ashtu edhe Lega Nord kundërshtojnë një sërë politikash shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian për daljen nga kriza financiare dhe ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA