Merkel priti Netanyahun: Së bashku kundër Iranit, por jo paktit bërthamor

05/06/2018 08:51

Irani dukej qartësisht në krye të axhendës, teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u prit nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel në Berlin gjatë së hënës.

Dy aleatë të afërt, në fakt ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta për disa raste specifike. Gjermania për shembull është në favor të vazhdimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin, pavarësisht largimit të Shteteve të Bashkuara prej paktit.

Izraeli ndërkohë e kundërshton ashpër atë, i shqetësuar mbi të gjitha nga fakti se mund të përforcojë aftësitë e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Ndaj, vendi hebre kërkon nga Gjermania të mos ketë marrëdhënie biznesi me Teheranin.

Netanyahu pretendon se Irani financon konfliktet e armatosura me paratë e siguruara prej marëveshjeve të biznesit që prej lehtësimit të sanksioneve. Ndaj dhe ka nisur një tur të gjerë në përpjekje për të nxitur vendet europiane të ndjekin lëvizjen e presidentit amerikan, Donald Trump, duke u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Por, duke iu përgjigjur pyetjeve të reporterëve, Merkel tha se Gjermania dhe Izraeli ndajnë të njëjtin objektiv të pengimit të Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, por nuk bien dakord mbi mënyrat sesi duhet arrritur deri në këtë pikë.

Merkel tha se, përpara marrëveshjes së sponsorizuar nga OKB-ja, Irani kishte qenë shumë pranë sigurimit të armëve të tilla dhe se pikërisht pakti mund të garantojë “më shumë transparencë”.

Merkel pranoi gjithashtu se Berlini dhe Tel Avivi nuk po shihen sy ndër sy mbi këtë çështje, por këmbënguli se ekziston një konsensus i gjerë mbi dhënien fund të përfshirjes “shqetësuese” të Iranit në luftën civile siriane.

“Nuk mund të biem dakord mbi çdo tematikë, por ne jemi miq dhe ekziston vullneti për të kuptuar pozicionet e të tjerëve”, tha Merkel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA