Heshtja nuk është pika e fortë e presidentit Donald Trump, i cili flet edhe kur e di shumë mirë që mund të dëmtojë veten. Ndërsa mediat amerikane vlojnë me debatin nëse presidenti mund të falë apo jo veten, kreu i Shtëpisë së Bardhë nxitoi si zakonisht në Twitter që të tregojë fuqitë e tij, megjithëse do të ishte më mirë të mos thoshte asgjë.
“Siç është deklaruar nga shumë ekspertë ligjorë, unë kam të drejtën absolute që të fal veten, por pse ta bëj nëse nuk kam bërë asgjë të gabuar? Ndërkohë, gjuetia e pafundme e shtrigave që po kryhet nga 13 demokratët të zemëruar vazhdon drejt zgjedhjeve të mesmandatit”, tha Trump.
Debati nisi pasi Rudi Xhuliani, një nga avokatët e Trump në çështjen e hetimit për Rusinë, tha se beson që presidenti ka fuqinë të falë veten, por nuk do të bëjë asgjë të tillë. Prokurori Special Robert Mueler po heton nëse presidenti pengoi drejtësinë me shkarkimin e ish drejtori të FBI-së, Xhejms Comey dhe debati është mjaft i ndezur nëse presidenti mund ti shpëtojë ndëshkimin në rast fajësie, meqë ka fuqi të falë krimet.
Në mediat sociale, Trump u sulmua mjaft ashpër pas komentit të tij dhe akuzat se është fajtor nuk kanë fund. Njerëzit e pafajshëm gjithnjë flasin për faljen e vetes- ishte një prej komenteve më të gjetura që shprehte qartë pikëpamjen e shumë amerikanëve për reagimin e radhës të gabuar të Trump.
Top Channel