Protestat masive në Jordani, kryeministri lë postin

04/06/2018 21:31

Mjaftuan katër ditë protesta masive kundër rritjes së taksave dhe masave ekstreme ekonomike që kryeministri i Jordanisë Hani Mulki të humbiste postin e tij.

Demonstratat e ditëve të fundit në Jordani, një aleat thelbësor për perëndimin, janë më të mëdhatë prej dekadash. As përplasjet e dhunshme me policinë nuk i ndaluan protestuesit që natë pas nate u kthyen në rrugë dhe sheshe duke kundërshtuar ligjin e ri që mbështetet nga fondi monetar ndërkombëtar, por që ata thonë se zbraz xhepat e tyre.

Kryeministri Mulki nuk kishte pranuar të rrëzonte ligjin, duke thënë se i takon parlamentit të vendosë ta miratojë apo jo. Refuzimi i kryeministrit zemëroi edhe më shumë turmat dhe ndërhyrja e mbretit u bë e nevojshme.

Sipas qeverisë jordaneze, mbreti thirri kryeministrin në pallat dhe i kërkoi atij që të japë dorëheqjen. Mësohet se mbreti Abdullah i ka kërkuar një prej ministrave që të formojë qeverinë e re.

Nuk është e qartë se cili do të jetë fati i ligjit të kundërshtuar nga publiku, por analistët thonë se me largimin e Mulki ka shumë mundësi që ai të rrëzohet. Ligji rriste taksat mbi të ardhurat personale dhe çmimet, me justifikimin se paratë duhen për të shlyer borxhin e madh të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA