Autoritetet detare në Australi dhanë alarmin pasi 83 kontejnerë ranë nga një anije përballë brigjeve të provincës së Uellsit të Ri Jugor.
Mësohet se produkte të ndryshme shëndetësore si maska kirurgjikale apo pecete higjienike, të cilët gjendeshin brenda në kontejnerë, kanë nisur të dalin në brigjet e qytetit të Sidnit.
Autoritetet thonë se sendet e rëna në det mund të jenë të rrezikshme për balenat dhe kafshë të tjera detare që mund t’i gëlltisin, ndërsa vetë kontejnerët përbëjnë një rrezik të madh nëse goditen nga anijet.
Kontejnerët ranë nga një anije tajvaneze të enjten, pasi mjeti lundrues u përfshi nga një stuhi e fortë në detin e Tasmanisë. Video e shfaqura nga mediat australiane shfaqin edhe kontejnerë të tjerë të dëmtuar që gjenden ende në bordin e anijes.
Autoritet thanë se shumë prej kontejnerëve mbi 10 metra të gjatë pluskojnë, por vetëm pak centimetra të tyre kanë dalë mbi sipërfaqen e ujit. Sipas marinës australiane edhe në kohë me mot të mirë është shumë e vështirë t’i shohësh ato, prandaj varkat e vogla sidomos duhet të bëjnë shumë kujdes.
Top Channel