Sulmuesi i Turqisë Cenk Tosun është ndëshkuar me karton të kuq në miqësoren e skuadrës së tij kombëtare kundër Tunizisë të premten, pasi bëri shenjën e prerjes së fytit ndaj tifozëve të tij dy herë.
Vetëm pesë minuta pasi shënoi gol nga penalltia, 26-vjeçari u përfshi në një sherr verbal me një tifoz turk. Ndeshja madje u pezullua pasi Tosun u afrua për nga tribuna e stadiumit të Gjenevës dhe i bëri me shenjë tifozit se do t’i priste fytin.
Por pasi shokët e skuadrës dhe pjesëtarë të stafit e mbajtën dhe e shtynë të rifutej në lojë, ai e bëri veprimin sërish, ndërsa gjyqtari zviceran San Fedayi e ndëshkoi direkt me karton të kuq për veprimin, duke lënë të tijët me dhjetë vetë ndërsa ndeshja ishte në rezultatin 1-1. Tunizia arriti të shënonte edhe një gol tjetër por turqit barazuan në fund me Caglar Soyuncu.
I pyetur pas ndeshjes pse e bëri këtë veprim, Tosun, që luan në Premier League me Everton, u përgjigj: “Ktheva kokën nga tribuna dhe pashë babain tim të përfshirë në një sherr. Nuk e di gjithë historinë por pashë që po e kërcënonin dhe karakteri është më i rëndësishëm se sa futbolli për mua”.
Top Channel