Kreu i “Forza Italia”-s, Silvio Berlusconi nuk ia jep votëbesimin qeverisë së sapokrijuar italiane mes “Lëvizjes 5 yjet” dhe “Lega Nord”.
“Gjendemi përballë një momenti tejet të vështirë, me një formulë qeverisjeje të padëgjuar më parë dhe kontradiktore, e cila nuk është zgjedhur nga italianët përmes një vote që duhet të përcjellë vlera e programe të kundërta me ato të diktuara nga populizmi”, ishte komenti i “kavaljerit”.
“Ne jemi për Europën, garantuesen e paqes në 70 vitet e fundit pas dy luftrave botërore. ‘Forza Italia’ do të jetë shumë e rreptë në kundërshtimin ndaj çdo gjëje që nuk e konsideron pozitive për italianët”, tha Berlusconi.
“Sot Italisë i lipset tjetër gjë, – vazhdon ish-kryeministri. – Ashtu si në vitin 1994 kur bëmë që të rilindte qendra e djathtë, duhet të mobilizohemi për t’i dhënë një zë Italisë, që nuk mund të identifikohet as me qeverinë verdhegjelbër, e as me të majtën”.
Partia e Berlusconit mori pjesë në zgjedhjet e 4 marsit, si koalicion me “Lega Nord”, por ndryshe nga sa priste Berlusconi, forca politike e Matteo Salvinit ishte ajo që grumbulloi numrin më të madh të votave.
“Kavaljeri” bëri mënjanë kur u shfaq mundësia për zhbllokimin e krizës përmes një qeverie të Legës me “5 yjet”, megjithatë, tani që ekzekutivi mori formë vërtet, Berlusconi i del kundër dhe i drejton një thirrje popullit italian.
“Alternativa jemi ne ose ata, ndaj italianët që kërkojnë më të mirën duhet të zbresin në fushë e të na ndihmojnë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”.
Qeveria e re populiste e Italisë, e drejtuar nga Giuseppe Conte, bëri betimin një ditë më parë, duke i dhënë fund muajsh të tërë pasigurie politike në vend, por duke ngjallur tani një lloj tjetër pasigurie, këtë herë jashtë kufijve.
Top Channel