Spanjë, Parlamenti rrëzon Rajoyn pas skandalit të korrupsionit

01/06/2018 11:44

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy detyrohet të lërë postin pas gati 7 vitesh qeverisjeje. Parlamenti spanjoll mbështeti me shumicë votash mocionin e mosbesimit të paraqitur ndaj tij, prej kreut socialist Pedro Sánchez Castejon, që do të vendoset tani në krye të ekzekutivit.

Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare në vend u prit me ovacione nga deputetët në sallë, që thërrisnin “Ja pra që mund të bëhet!”, e më pas shpërthyen në duartrokitje.

“A do të largohesh zoti Rajoy, apo do të vazhdosh të kapesh pas pushtetit, duke e dobësuar edhe më shumë demokracinë dhe cilësinë e qeverisjes?”, pyeti Sanchez.

Rajoyn e njohur ndryshe si “menaxheri i krizave në vend” e fundosi një skandal korrupsioni i partisë së tij. Akuzat ndaj Partisë Popullore qarkullonin prej vitesh, por situata mbërriti pikën kulmore javën e kaluar, kur një gjykatë i dënoi ish-ndihmësit e shefit të ekzekutivit për administrim fondesh të pista, të përdorura për financimin e fushatës elektorale të kësaj force politike.

Politikani veteran i fitoi bindshëm zgjedhjet në vitin 2011, vetëm se masat e rrepta ekonomike të diktuara nga BE-ja shkaktuan mjaft pakënaqësi dhe i nxorën njerëzit në rrugë.

Por, ato e rikthyen Spanjën në rrugën e rritjes ekonomike. Kohët e fundit u shfaq një tjetër krizë, ajo e Katalonjës. Rajoy arriti ta bllokonte, ama nuk bëri dot të njëjtën gjë edhe me skandalin e korrupsionit.

Në fund, ai nuk pati më përgjigje për akuzat që i drejtoheshin. Sanchez, me profesion ekonomist, pritet ta bëjë betimin këtë fundjavë, e javën e ardhshme të caktojë kabinetin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA