Italia do të drejtohet nga një qeveri koalicioni e formuar prej dy forcave politike populiste, Lega Nord dhe Lëvizja 5 yjet, që doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit.
Përpjekja e presidentit Sergio Mattarella për t’i dhënë një tjetër zgjidhje ngërçit disamujor dështoi.
Këtë të premte, në orën 16 të pasdites bën betimin si kryemninistër i vendit profesori i Juridikut, Giuseppe Conte, i cili këmbëngul se ka me vete ekipin më të mirë të ministrave.
Me të marrë detyrën, ai prezantoi listën e 19 pjesëtarëve të kabinetit, 5 nga të cilët janë gra.
Njeriu që trembi Bashkimin Europian e që u refuzua nga Mattarella në postin e ministrit të Ekonomisë, Paolo Savona do të drejtojë Ministrinë më pak të rëndësishme të Komuniteteve.
Vet Savona u shpreh i kënaqur që tabloja politike u plotësua, dhe pse jo shumë. “Nëse arritën kompromis mbi emrin tim, – u shpreh ai, – do të thotë se e kuptuan që në fund të fundit nuk jam edhe aq antieuropian.
Ekzekutivi i ri do të përbëhet nga 6 teknikë, 7 pjesëtarë të “5 yjeve” dhe 6 të “Legës”.
“Do të punojmë me vendosmëri për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të gjithë italianëve”, ishte deklarata e parë e Contes si kryeministër i caktuar.
Në këtë mënyrë morën fund 4 ditë krize politike dhe institucionale në Itali, por ndonëse ministri i ri i zgjedhur i Ekonomisë, Giovanni Tria e favorizon vazhdimin e anëtarësimit në zonën e monedhës së përbashkët, konflikti i populistëve me BE-në nuk është mbyllur plotësisht.
“5 yjet” dhe “Lega” kanë premtuar shpenzime të reja të ndihmës sociale dhe shkurtim taksash, gjë që mund të bjerë ndesh me rregullat e shpenzimeve të bllokut.
Vet Matteo Salvini, nga ana tjetër, do të mbajë portofolin e Ministrisë së Brendshme, e një nga premtimet e tij të para ishte një politikë e re e ashpër mbi emigracionin, që mund të ngjallë edhe kjo debate në Europë.
Top Channel