Trump takon një tjetër Kim, bisedon me Kardashianin për burgjet

31/05/2018 09:43

Një samit Trump-Kim u zhvillua për çdo rast, edhe pse nuk ishte ai i shumëpërfolur me udhëheqësin koreano-verior.

Presidenti amerikan u takua në Zyrën Ovale me yllin e “reality show”-t, Kim Kardashian, që ndryshe nga sa janë mësuar të gjithe ta shohin nëpër rrjetet sociale, ishte e veshur me një kostum më se serioz, ashtu siç e kërkonte rasti.

37-vjeçarja kaloi një orë në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutoi me dhëndrin e presidentit, Jared Kushner, njëkohësisht këshilltar i tij, e më pas edhe me Trumpin vet për reformën në burgje.

Ajo interesohej për rastin e një 63-vjeçareje, Alice Marie Johnson, e cila ka kaluar pas hekurave më shumë se dy dekada, për shkak të një akuze për trafik lëndësh narkotike, shkelje kjo të cilën e kryente për herë të parë, e nuk ishte diçka e përsëritur.

Johnson është dënuar me burgim të përjetshëm, por Kim kërkonte faljen e kreut të shtetit për të.

“Sot është ditëlindja e saj, nuk mund të ketë dhuratë më të madhe e më të bukur sesa liria”, tha avokati i saj mbrojtës.

Historia e Johnsonit ia tërhoqi fillimisht vëmendjen yllit të “reality show”-t, kur pa një video të shkurtër mbi të, të postuar në një medie sociale.

Kim u prek aq shumë sa i kërkoi avokates së saj, Shawn Holley, t’i hidhte një sy rastit, e vendosi të paguajë për të një ekip të ri ligjor, i cili do të kujdeset me mbrojtjen e gruas, si dhe të bashkojë forcat me Kushnerin, që këmbëngul prej kohësh për një reformë federale të sistemit penitenciar.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel