“Me tarifat e çelikut dhe aluminit, udhëheqësit e BE-së e kanë armën të mbështetur në tëmth”, paralajmëron kreu i Shoqatës britanike të prodhuesve të pavarur të çelikut, Gareth Stace.
BE-ja, sipas tij duhet të vendosë sa më parë masa mbrojtëse për të frenuar çelikun kinez, që dikur ishte i destinuar për Shtetet e Bashkuara, e që tani do të mbërrijë në Europë.
Tarifat amerikane prej 25% do të hyjnë në fuqi të premten në mëngjes. Prodhuesve të çelikut në mbarë bllokun iu vendos një përjashtim i përkohshëm nga kjo masë, ndërsa Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta bindnin Brukselin të reduktojë prodhimin e çelikut, ose të bëjë lëshime të tjera.
Por, raportet në media tregojnë se bisedimet e minutës së fundit në Paris, me Sekretarin amerikan të Tregtisë, Ëilbur Ross, dështuan, teksa ai vet u shfaq tërësisht i prirur drejt vendosjes së tarifave të reja.
Këto të fundit, për ministrin francez të Financave, Bruno Le Maire, janë të pajustifikuara dhe të rrezikshme.
“Është plotësisht në dorën e autoriteteve amerikane nëse duan të hyjnë në një konflikt tregtar me partnerin e tyre më të madh, Europën”, deklaroi ai pas takimit me Ross në Paris.
Le Maire paralajmëroi se BE-ja do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për një kundërpërgjigje të duhur ndaj kësaj lëvizjeje të Uashingtonit.
Bisedimet nxjerrin në pah edhe një çështje tjetër, që nuk ishte prekur deri më tani. Stace u detyrua ta pranonte se ka një problem kapaciteti të tepërt global në industrinë e çelikut, por tha se shumica e tij është në Kinë.
Top Channel