Rajoy rrezikon “poshtërimin”! Brukseli gjithë “sy e veshë” nga Spanja

31/05/2018 17:42

Parlamenti spanjoll nisi këtë të enjte debatin për votimin e një mocioni mosbesimi të kërkuar nga opozita kundër Kryeministrit Mariano Rajoy.

Mocioni është dorëzuar nga kreu i socialistëve, Pedro Sánchez pas përfundimit javën e kaluar të një gjyqi të gjatë korrupsioni, i njohur si rasti “Gürtel”, ku një gjykatë spanjolle gjeti fajtorë ish-zyrtarë të Partisë Popullore të Rajoy për mmashtrim dhe përvetësim fondesh.

Veç socialistëve, mediat vendase thonë se mocioni ka gjetur në heshtje mbështetje edhe tek vetë eksponentë të zëshëm brenda partisë së kryeministrit spanjoll, që pritet të votojnë pro gjatë ditës së premte.

Për këtë duket se ishte në dijeni edhe kreu i opozitës, Pedro Sanchez. Në seancën e kësaj të enjteje, ai i kërkoi dorëheqjen.

“Do t’ju bëj një pyetje zoti Rajoy, a jeni gati të jepni dorëheqjen? A jeni gati të jepni dorëheqjen sot, këtu, tani? Jepni dorëheqjen zoti Rajoy dhe gjithçka do të përfundojë. Ju mund të largoheni vetë nga qeveria. A do të japësh dorëheqjen apo do të vazhdosh të kapesh pas pozitës, duke dobësuar demokracinë, duke dobësuar dhe nënçmuar cilësinë e institucionit qeveritar?!”, tha Sanchez.

Sanchezit i duhet një shumicë prej 176 votash në Parlament për të formuar qeverinë e re dhe në mediat spanjolle thuhet se deri më tani ai ka siguruar 175.

Pa u votuar ende, kreu i socialistëve është zotuar për respektimin e buxhetit të miratuar nga qeveria e Rajoy dhe nisjen e një dialogu të ri me drejtuesit lokalë të Katalonjës.

Vetë Rajoy akuzoi rivalin e tij politik se përmes mocionit të mosbesimit kërkon që të marrë pushtetin pa fituar më parë votën popullore.

Nëse të premten ligjvënësit spanjollë do të votojnë pro, atëherë Mariano Rajoy do të bëhej kryeministri i parë i vendit i larguar nga një mocion votëbesimi.

Gjithë ankth këtë votim e pret edhe Brukseli. BE nuk dëshiron një tjetër telash në jug të vet pas Italisë që prej muajsh lundron në ujëra të pasigurta politike e ekonomike dhe largimi i Rajoy  do të trondiste më tej tregjet financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA