Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pati një “darkë pune” të përshkruar si tejet pozitive me Kim Yong-chol, krahun e djathtë të kreut koreano-verior, Kim Jong-un, para bisedimeve të së enjtes për takimin e mundshëm ndërmjet tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump, muajin që vjen.

Shefi i diplomacisë amerikane postoi në rrjetin social “Twitter” një fotografi, ku shihet duke shtrënguar duart me Yong-chol dhe një tjetër, teksa shihen të ulur në një apartament afër selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kim Yong-chol është zyrtari më i lartë i Koresë së Veriut që viziton Shtetet e Bashkuara në 18 vite. As ai, e as Sekretari Pompeo nuk folën me gazetarët. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë dha disa detaje duke pohuar ndër të tjera se, diskutimet për “çarmatimin e plotë bërthamor” nuk përfshinë sistemin e armatimit amerikan, një ombrellë mbrojtëse që mbulon Korenë e Jugut, e cila përfshin nëndetëse bërthamore dhe bombardues strategjikë, që mund të bartin bomba nukleare, ama nuk janë të vendosur në gadishull.

Mendohet se Veriu komunist mund të ketë më shumë se një duzinë armësh atomike. Pasi e anuloi takimin historik javën e kaluar, Trump ktheu mendje e tani pohon se ka ndërmend të marrë pjesë në të, duke shkruar në “Twitter”: Përgjigje pozitive ndaj letrës sime, faleminderit!

Për ekspertët, vendimi i Kim Jong-unit për të dërguar në Uashington njeriu e tij të besuar duhet parë si një fillim premtues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA