Italia, me qeveri politike. Conte paraqet listën e kabinetit te presidenti

31/05/2018 20:08

Lega Nord dhe Lëvizja 5 yjet kanë arritur sërish akordin për qeveri koalicioni në Itali, me ndryshimin tashmë që në postin e ministrit të Ekonomisë është nominuar një profesor shumë pak i njohur i kësaj fushe, Giovanni Tria.

Kthesa vjen plot 88 ditë nga dita e votimit, e mbi të gjitha pas një takimi kokë më kokë mes Salvinit e Di Maios, të cilëve iu bashkua edhe kryeministri i mandatuar prej tyre, Giuseppe Conte. Ky i fundit u takua me presidentin Mattarella në orën 21 të mbrëmjes së të enjtes, takim gjatë të cilit prezantoi edhe listën përbërëse të kabinetit qeveritar.

Ajo që të bie në sy është se 5 nga 19 pjesëtarët e kabinetit janë gra. Pjesa tjetër, 3 ministra janë teknikë, 9 i përkasin “5 yjeve” dhe 7 legistë.

Presidenti Sergio Mattarella tronditi mundësitë e formimit të një qeverie koalicioni mes partive euroskeptike, para pak ditësh, duke vendosur veton ndaj kandidatit 81-vjeçar Paolo Savona, një kritik i ashpër i euros, për postin e ministrit të Ekonomisë.

Tashmë Italia do të ketë një qeveri politike dhe jo teknike. Më herët, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini shpjeguan se ekzekutivi i ri, ashtu si dhe ai i ideuar pak ditë më parë por që nuk mundi të dekretohej, do të udhëhiqet nga Giuseppe Conte.

Bie kështu opsioni i kryeministrit teknik Cottarelli. Ky i fundit është shprehur se “ditët e fundit është konkretizuar mundësia për një qeveri politike, ndaj nuk do të jetë më i nevojshëm formimi i një qeverie teknike”, ndaj dhe ka dorëzuar mandatin e marrë nga Mattarella. Sipas Cottarellit, formacioni politik në krye të ekzekutivit mbetet zgjidhja më e mirë e krizës politike në Itali, pasi shuan paqartësitë mbi mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ja lista me emrat e qeverisë së re italiane:

President i Këshillit (kryeministër) – Giuseppe Conte
Zv.president i Këshillit (zv.kryeministër) dhe ministër i Punës – Luigi Di Maio (M5S)
Zv.president i Këshillit (zv.kryeministër) dhe ministër i Brendshëm – Matteo Salvini (Lega)
Marrëdhëniet me Parlamentin dhe demokracinë e drejtpërdrejtë – Riccardo Fraccaro (M5S)
Administrata Publike – Giulia Bongiorno (Lega)
Çështjet Rajonale dhe Autonomia – Erika Stefani (Lega)
Ministër për Jugun – Barbara Lezzi (M5S)
Ministër për Personat me Aftësi të Kufizuara – Lorenzo Fontana (Lega)
Ministër i Marrëdhënieve të Jashtme – Enzo Moavero Milanesi
Ministër i Drejtësisë – Alfonso Bonafede (M5S)
Ministër për Mjedisin – Sergio Costa (M5S)
Ministër i Mbrojtjes – Elisabetta Trenta (M5S)
Ministër i Ekonomisë – Giovanni Tria
Ministër për Politikat e Agrikulturës – Gian Marco Centinaio (Lega)
Ministër për Infrastrukturën – Danilo Toninelli (M5S)
Ministër i Arsimit – Marco Bussetti (Lega)
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Alberto Bonisoli (M5S)
Ministër i Shëndetësisë – Giulia Grillo (M5S)
Ministër për Komunitetet – Paolo Savona
Nënsekretar i presidentit të Këshillit (kryeministrit) – Giancarlo Giorgetti (Lega).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA