Përfaqësuesja e Kosovës në futboll kishte arritur një akord për të zhvilluar një miqësore me kombëtaren e Iranit, këtë të dielë. Por, gjithçka ka dështuar.
Skuadra e trajnerit Bernard Challandes, e cila mori një fitore të merituar ndaj Shqipërisë në përballjen e Zyrihut, pritej të impenjohej në një tjetër test të rëndësishëm ndaj një përfaqësueseje që është pjesë e fazës finale të Botërorit 2018, por Federata e Iranit ka vënë kushte të parealizueshme.
Irani nuk e kishte programuar përballjen me Kosovën në miqesore, pasi duhej të luante sipas akordit me kombëtaren greke mbrëmjen e 2 qershorit. Por, pavarësisht impenjimit mes dy federatave, nuk u arrit marrëveshja për stadiumin.
Kështu, Irani zgjodhi të luajë ndaj përfaqësueses kosovare, por duke vendosur kushte. Sipas FFK-së, për sfidën e Stambollit, të dielën e 3 qershorit, Irani nuk pranoi pjesëmarrjen e tifozëve, duke bërë që akordi të dështojë.
Kosova do të qëndrojë edhe dy ditë në grumbullim, e më pas, nga e shtuna futbollistët do të shpërndahen.
Top Channel