Gazetari rus, Arkady Babchenko, i cili u raportua të ishte ekzekutuar në Kiev gjatë mesnatës mes të martës dhe të mërkurës, në fakt ndodhet i gjallë dhe shëndoshë e mirë.
Babchenko, një kritik i ashpër i Kremlinit, u shfaq në një konferencë për shtyp në televizionin ukrainas gjatë kësaj të mërkure.
Kreu i shërbimeve sekrete ukrainase, Vasyl Hrytsak u tha reporterëve se “vrasja” ishte inskenuar për të ekspozuar agjentët rusë.
“Sipas informacioneve të siguruara nga shërbimi ukrainas i sigurisë, vrasja e gazetarit rus, Arkady Babchenko, ishte urdhëruar nga vet shërbimet ruse të sigurisë”, tha Hrytsak.
Babchenko u raportua të ishte gjetur i përgjakur nga bashkëshortja e tij në hyrjen e një blloku apartamentesh ku ata banonin, i qëlluar disa herë me armë zjarri pas shpine, e se kishte ndërruar jetë gjatë transportit me ambulancë për në spital.
Gazetari duket se nuk i kishte thënë asgjë bashkëshortes se vrasja ishte inskenuar. “Faljen më të madhe dua t’ia dedikoj gruas sime”, tha ai.
Realisht, rrethanat ekzakte sesi ishte zhvilluar e gjithë kjo vrasje fiktive nuk dihen. Policia njoftoi se ka arrestuar një person në lidhje me këtë operacion të jashtëzakonshëm.
I njohur si kritik i ashpër i Kremlinit, Babchenko garoi në zgjedhjet jozyrtare të organizuara nga opozita në vitin 2012, e denoncoi veprimet e Rusisë në Siri dhe në lindje të Ukrainës. Ai u largua nga Rusia në vitin 2017, pasi u kërcënua me vdekje, për shkak të një postimi të publikuar në rrjetet sociale.
Top Channel