Sjelljet raciste të punonjësve, Starbucks mbyll 8 mijë dyqane

30/05/2018 08:12

Rrjeti i njohur i kafeneve, “Starbucks” ka mbyllur të martën mbi 8 mijë filiale në Shtetet e Bashkuara, për të trajnuar stafin me qëllim parandalimin e incidenteve racore, sikurse ndodhi pak ditë më parë.

Muajin e kaluar, dy afrikano-amerikanë shkuan në një dyqan të kompanisë Starbucks në Filadelfia dhe nuk blenë asgjë. Ata i thanë menaxherit të dyqanit se po prisnin për një mik të tyre.

Atyre ju kërkua që të largoheshin nga dyqani dhe një punonjës telefonoi policinë, që çoi në arrestimin e tyre. Kjo nxiti protesta dhe akuza për racizëm ndaj kompanisë Starbucks.

Shefi Ekzekutiv i kompanisë Starbucks, Kevin Johnson kërkoi falje për incidentin.

“Dua të kërkoj falje për komunitetin në Filadelfia dhe për të gjithë partnerët e mi të Starbucks-it. Kjo nuk është dhe nuk do të jetë një pasqyrim i identitetit tonë. Ne do të mësojmë nga kjo dhe do të përmirësohemi”, tha ai.

Menjëherë pas kësaj, Starbucks njoftoi një ndryshim të politikave të saj, duke mirëpritur çdokënd që të ulet në kafenetë e saj, edhe nëse ata nuk blejnë asgjë.

Afrikano-amerikanët që u arrestuan në prill, arritën një marrëveshje me kompaninë Starbucks më parë këtë muaj për një shumë të pazbuluar dhe një ofertë për arsim universitar falas për secilin prej tyre.

Starbucks gjithashtu arriti një marrëveshje me qytetin e Filadelfias për një shumë simbolike një dollar dhe një premtim nga zyrtarët e qytetit për të ngritur një program prej 200,000 dollarësh për sipërmarrësit e rinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA