Një person ka qëlluar për vdekje dy oficere policie dhe një civil, në qytetin lindor të Belgjikës, Liezh.
Personi i armatosur mori peng gjithashtu një pastruese të një shkolle aty pranë, para se të vritej nga policia. Dy oficerë të tjerë policie kanë mbetur të plagosur.
Motivet e agresorit ende nuk dihen, por incidenti po trajtohet si akt terrorist. Burime policore, të cituara nga mediet lokale thonë se, agresori ishte dëgjuar të thërriste “Allahu Akbar” para se të sulmonte.
Një transmetues lokal belg tha se, agresori kishte dalë me leje nga burgu të hënën, e do të vijonte dënimin për një krim të lidhur me drogën. Mendohet se ai mund të jetë radikalizuar në burg.
Incidenti ndodhi mëngjesin e së martës, në afërsi të një lokali në qendër të qytetit. Prokurorët thanë se ai kishte ndjekur dhe sulmuar dy oficeret e policisë me thikë, para se t’u rrëmbente armën dhe të qëllonte.
Ai po ashtu kishte qëlluar për vdekje një 22-vjeçar që ishte ulur në vendin e pasagjerit, në një makinë të parkuar, ndërsa ecte drejt një shkolle aty afër, ku edhe mori peng për disa çaste një punonjëse sanitare.
Oficerët e policisë kishin mbërritur në vendngjarje dhe kishin ndërhyrë. Sipas prokurorëve, agresori kishte filluar të qëllonte mbi policët në përpjekje për t’u larguar, duke plagosur disa prej tyre, para se të qëllohej për vdekje.
Belgjika mbetet në alarm pas sulmeve të vitit 2016, të marra përsipër nga grupi i Shtetit Islamik, në të cilat 32 vetë humbën jetën. Militantë me bazë në Bruksel ishin po ashtu të përfshirë në sulmet e vitit 2015 në Paris.
Top Channel