Misteri i avionit me numër fluturimi “MH370” duket se nuk do të zbardhet kurrë. Një kërkim privat për gjetjen e avionit është mbyllur zyrtarisht, pa asnjë rezultat.
Kompania “Ocean Infinity” me bazë në SHBA përdori një mjet që zhytej në thellësinë e detit, për të zhvilluar një kërkim 90-ditor në një zonë të gjerë në jug të oqeanit Indian.
Por, asgjë nuk u gjet dhe qeveria malajziane bëri të ditur se nuk ka asnjë plan të nisë kërkime të reja.
Avioni u zhduk nga radarët më 8 mars të vitit 2014, ndërsa fluturonte nga Kuala Lumpuri në Pekin, me 239 persona në bord.
Ende vazhdon të ketë debate mbi zonën ku mund të ketë rënë avioni. Kërkimet për mjetin e zhdukur u shtrinë në sipërfaqen më të madhe në historinë e aviacionit civil, duke mbuluar më shumë se 120 mijë kilometra katrorë të oqeanit Indian.
Pjesë të avionit janë gjetur deri në Madagaskar, por jo trupi i tij. Kërkimi zyrtar, ku u përfshinë ekipe nga Australia, Malajzia dhe Kina, u mbyll në janar të vitit të kaluar.
Top Channel